Po shfaqen postimet me emërtimin News. Shfaq të gjitha postimet
Po shfaqen postimet me emërtimin News. Shfaq të gjitha postimet

09 prill 2013

Lideri i grupit vuan nga sëmundje e rëndë, Qeveria jep 35 milionë lekë për kurim

Këngëtari i njohur Gentian Demaliaj, emri kryesor i grupit “Djemtë e Detit” është duke vuajtur nga një sëmundje e rëndë dhe për kurimin e tij, qeveria shqiptare ka vendosur të financojë shpenzimet spitalore.

Burime nga Këshilli i Ministrave i thanë agjencisë noa.al se në mbledhjen e sotme të qeverisë, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, u miratua fondi prej tre milionë e pesëqind mijë lekësh të rinj, për mbulimin e shpenzimeve të kurimit të Gentian Demaliaj.

Ky fond u vendos të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Sipas vendimit, pagesa dot të bëhet me paraqitjen e faturave origjinale të institucionit të kurimit. Kurse ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi i cili hyn në fuqi menjëherë.

Gent Demaliaj, u mirëprit edhe si anëtar jurie në festivaleve të RTVSH, gjithashtu edhe në muzikale si ai me Elsa Lilën

Read more...

25 prill 2011

Intervistë me grupin legjendar, Djemtë e Detit


Pyetja  që çdo fan i juaji, do donte tju bënte sot Valentin, është: Në cfarë marrëdhëniesh jeni me ish pjesëtarët e grupit (Dhori, Shkëlçimi, Flamuri)? Përse ato nuk kanë qënë pjesë e albumit të ri?

Ka pothuajse 7 vjet që nuk kam kontakt me asnjërin prej tyre , por do thoja që po të takohemi në rrugë do ta përshëndetnim njëri tjetrin , dhe ndoshta edhe do pinim kafe .  Arsyeja që Dhori, Shkëlçimi dhe Flamuri nuk janë në këtë album është fare e thjeshtë , mospërputhje shijesh muzikore , por do thoja që mbetemi miq ...

Mbas më shumë se 10 vjetësh larg nga skenat, vendosët të ktheheshit me një album të ri. Albumi i parë, Izolimi Vdes pati një sukses shumë të madh, sidomos në qytetin tuaj të lindjes, në Lezhë. A ka pasur albumi juaj i dytë, të njëjtin sukses?

Të them të drejtën pas lancimit të albumit un jam kthyer ne Australi (ku edhe jetoj prej 10 vjetësh ) dhe ndoshta nuk jam në kontakt me median apo fansat por do thoja që në përgjithësi biznesi muzikor ka një rënie globale që reflektohet edhe në Shqipëri , por ne nuk kemi realizuar as videoklip apo ndonjë koncert pas lancimit , që janë faktorë të rëndësishëm të marketingut , kështu që duke patur parasysh këto fakte do thoja që albumi ka patur absolutisht sukses .Dhe po të shikosh në youtube ka një numër të konsiderueshëm shikuesish .

Lexoni intervisten e plote ketu:
http://www.albanianews.it/shqip/intervista/item/1824-interviste-shqip-djemte-detit

Read more...

05 korrik 2009

Djemte e Detit – Eposi ashtu si nuk e keni dëgjuar kurrë

Nga: Darien Levani
Ndonjëhere koinçidencat habisin.
Grupet kanë bërë albumin mbas shumë vitesh pushim. Një album që po presim prej të paktën 10 vitesh. Të dy ishin në maksimumin e tyre, ishin përfaqsuesit më në ze të një skene me të gjerë që shkatërruan me suksesin e tyre. Pastaj lindën problemet brenda , vonesat, zëra për shkatërrim bashkim ri-shkatërrim ri-bashkim, një farë telenovele rock. Më në fund rikthehen, ndërsa publiku i tyre ka ndryshuar.Ishte viti 1996 apo diku aty afër, albumi duhet të quhej Chinese Democracy. Ndërkohe prisnim edhe Djemte e Detit. Duhet të kalonin mbi dhjetë vjet për të dëgjuar këto dy albume, që dalin pak muaj mbas njëri tjetrit. Dashje pa dashje, DED vazhdojnë t’u ngjajne GnR edhe në vonesat e tyre.

Epos nuk është i thjeshtë, as për gjykim as për degjim. Ata që ngelen nga Djemtë e Detit – Gentian Demailiaj dhe Valentin Markvukaj – kanë marrë përsiper një album amicioz dhe shumë të vështire për tu realizuar, një koncept album mbi eposin, siç titullohet edhe disku, ndoshta të influencuar nga Ballada për Jakup Ferrin, këngë e cila për shumë veta, ngelet interpretimi i tyre më i mire, ndër këngët e pakta që përfaqsojne denjësisht rockun e pastër shqiptar.

Një album sa intim aq edhe publik. Një interpretim historik, një zhytje në të kaluarën e largët në stil rock. Shumë gjëra kanë ndryshuar në këtë copë toke. Ashtu si edhe zëri i i Gentit. Ka humbur arrogancën e rockstarit, është bërë diçka më e prekshme, me një doze vuajtje që nuk e shoqëronte në këngë si Mos qaj, ku ishte me thjesht një spektator i dhimbjes. Nuk është me keshtu, është brënda saj nëse është e nevojshme, e ndjen dhe e përcjell.

Ka, perveç kësaj, një sensibilizim të çunave për historine e atdheut dhe mbi historinë e këtij, që kohët e fundit është sa e rrallë aq edhe e nevojshme. DeD firmosin një homazh për Shqipërine, një album që lind diku nëpër bjeshka, një kryevepër që herë pas herë arrin maja që prekin punen kolosale të Mitrush Kutelit. Thërrisni një prift për Markvukaj, ky djalë ka një djall brënda, një krijesë të papërmbajtshme që shfryhet mizorisht mbi tastjerë për të na dhënë tinguj hyjnore, padyshim në rritje në krahasim me vite më para. Ndonjëherë përshtypja është ajo që grupi i ka kuptuar kufinjtë e tij dhe ka rënë në paqë me to. Dhe, edhe pse here pas here kitara duket sikur e tepron, sikur po mundohet të tregojë se sa i mirë është, ky është një detaj i anashkalueshem, sidomos duke parë që behet fjale për një kitarist premtues siç duket Sokol Keci, lead and ryth guitar për gati të gjithe këngët përveç Përrallë dashurie ku për tu zbavitur e kanë radhën Arjan Gjeci me Markvukaj që luajnë e kënaqën teksa gjenden e lihen. S’është e veshtire ti imagjinosh ndërsa gjatë rregjistrimit shkëmbejnë shikime mirëkuptimi.

Akoma, deri me sot, nuk ka shifra mbi shitjen e albumit. Duke parë situatën në Shqipëri, frika është që një album i tillë, i vetë prodhuar, me vështirësi do arrijë të nxjerri shpenëzimet e veta. Të jetë kjo vallë arsyeja për të cilën djemtë kanë pritur kaq shumë për tu rikthyer në skenë? Kam frikë se po, ndaj këshilla më e vështirë e me e vlefshme është kjo : ndihmojini këta çuna që bejnë art, fikini ata dreq kompjuterash e shkoni blijeni në një dyqan disqesh. Si njëhere e një kohë. Për veten tuaj, për Djemtë e Detit, për kulturë, për tu dhënë një shpresë atyre grupeve të tjerë qe në hije sakrifikojnë për të rregjistruar edhe një këngë të vetme sepse, siç thonë këtej, Kultura nuk të jep pasuri, përkundrazi, t’a kërkon.

Djemtë e Detit – Epos.
Tekstet : Gentian Demaliaj, Timo Flloko, Mimoza Ahmeti
Muzika : Valentin Markvukaj
Këngë speciale : Djemtë e detit, Beteja e dhimbjes, Përrallë dashurie
Zgjat : 45 minuta 39 sekonda

Read more...

03 korrik 2009

“Djemtë e detit”, festojnë rikthimin e tyre me një album të ri

Një festë shumë speciale ka qenë ajo që kanë organizuar këngëtarët e grupit “Djemtë e detit” të enjten në mbrëmje në lokalin “Austria” në Tiranë. Solisti Gent Demaliaj kishte ftuar shumë miq artistë për promovimin e albumit të dytë të grupit me titullin “Epos”, i konsideruar kështu si një rikthim i djemve në tregun muzikor. Të veshur sërish me të zeza, ata kanë transmetuar në sfond këngët e reja, tekstet e të cilave janë krijuar kryesisht nga Timo Flloko e Mimoza Ahmeti, të dy të pranishëm në këtë promovim. Po ashtu ishin në festë shumë këngëtarë të rinj si; Besa, Çiljeta e Ingridi, balerini Gerd Vaso, personazhet e “Big Brother 1”, Arbri, Olsi, Noçja, Romina, Jonida, e shumë artistë e gazetarë. Vetëm tre muaj më parë në një intervistë për “Panorama Plus”, ata njoftuan se nuk ishin shkrirë si grup, dhe ky fakt do të vërtetohej me albumin e ri “Epos”, që po përgatisnin të hidhnin në treg. Ata numërojë 17 vite nga dalja e tyre e parë në skenë, dhe kanë menduar që t’i prezantojnë këngët e reja me një tur koncertesh, që do të nisin në gjithë Shqipërinë. Solisti i grupit, Gent Demaliaj, i cili ishte një nga anëtarët e jurisë së Festivalit të 46-të të Këngës në Radio-Televizion ka pohuar se “Djemtë e detit” këtë vit ka shumë mundësi që të marrin pjesë si konkurrentë në këtë festival.

Read more...

28 maj 2009

Grupi muzikor "Djemtë e Detit" publikon "Epos", albumi që vjen pas 12 vjet heshtjeje.

Rikthehen me muzikën që e konsiderojnë "identiteti i Djemve të Detit": aromë folklori me instrumente moderne
Grupi muzikor "Djemtë e Detit" ka zgjedhur Ditën e Verës për të publikuar albumin "Epos". Të gjitha krijime për të cilat dy "Djemtë e Detit" (kaq ka mbetur grupi tashmë) Gentian Demaliaj dhe Valentin Markvukaj, janë frymëzuar nga eposi i Kreshnikëve.
Tetë këngë dhe dy pjesë orkestrale. Kompozitori Markvukaj ka krijuar gjithë vijën muzikore të "Epos", ndërsa tekstet kanë për autor Demaliajn dhe pak nga aktori Timo Flloko. Albumi është përfunduar para tri vitesh, kohë aspak e mbarë për muzikën rock në Shqipëri.
Kështu që vokalisti dhe lideri i përhershëm i "Djemve" priti pak dhe tani mendon që publiku është gati të mirëpresë muzikën progresiv rock që sjell "Epos", albumi që vjen 12 vjet pas të parit. 50 minuta muzikë të cilën vokalisti tenton ta shpjegojë në intervistën e mëposhtme. Prezantimi për publikun e gjërë mendohet të bëhet me kocerte nëpër Shqipëri.

12 vjet për albumin me titull sugjestionues "Epos". Çfarë po na sugjeroni me këtë emër?
Dikur në kohët e lashta njerëzit kanë qenë më të afërt, më të sinqertë, më njerëzorë. Duke menduar që në kohën që jetojmë kjo lloj lidhjeje, ky lloj zinxhiri jetësor ka filluar çuditërisht të shpërbëhet kemi vendosur ta titullojmë "Epos". Jemi kthyer në retrospektivë për perspektivën, duke u përpjekur që në të ardhmen të ruajmë diçka nga vlerat e së shkuarës.

Çfarë ka marrë Eposi i "Djemve të Detit" nga ai i Kreshnikëve?
Në album ndjehet se këngët përveçse mbajnë aromë deti mbajnë edhe aromë veriu, vendi i origjinës tonë. Kënga përfaqësuese e albumit, "Epos" fillon me një zë bjeshkësh, "maje krahut" quhet e kënduara. Fillon si thirrje dhe më vonë futen elementë të tjerë muzikorë dhe muzika shndërrohet në progressive rock. Ajo këngë i dedikohet dy personave.
Unë ia kam dedikuar gjyshit tim Shaban Haxhi Demaliaj, ndërsa Valentini ia ka dedikuar muzikën dajës së tij Luk Kaçaj. Albumi fillon me këngën me të njëjtin titull, "Epos", e cila ka motive të Veriut. Këtu kitarrat në momente të caktuara, luajnë në formë lahute.

Kënga e fundit titullohet "Djemtë e detit" që duket sikur flet për ne, por në fakt jo. Iu dedikohet të gjithë atyre që emigruan për një jetë më të mirë. Fjalët e saj të fundit thonë:
"Në gur do të skalitet/në këtë dhe në atë jetë/emri i kështjellës time/djemtë e të madhit det. I thërras kësaj toke ku i kam dhe etërit/ emri i mbretërisë sime/vjen nga djemtë e detit." Unë mbretëroj në sajë të tyre, dmth vazhdoj të këndoj në sajë të tyre.

Eposi i kreshnikëve i kalon kufijtë juridikë të Shqipërisë dhe shtrihet dhe më tej në vendet e rajonit. Po muzika juaj sa është ndikuar nga ajo ballkanase?
Nuk jemi futur aspak në Ballkan, ne jemi futur vetëm në Eposin shqiptar të Kreshnikëve. Mendoj që ne nuk na personifikon Ballkani, po trevat dhe kjo tokë të cilës i përkasim. Nuk më pëlqen që të marrim një lugë në Bullgari, një në Rumani, një në Serbi apo Greqi dhe të bëjmë turli të çuditshme.
Nuk do ta preferoja kurrë këtë. Nuk është për faktin se jemi nacionalistë, por folku, muzika folklorike, mendoj që është flamuri i një kombi. Muzikën klasike mund ta bëjë kushdo, por me folkun është ndryshe. Është njësoj si të vjedhësh flamurin grek dhe ta vendosësh tek Kryeministria.
Folku shqiptar është një bazë shumë e mirë për të krijuar muzikë, mund të them që është autentik. Sidomos mendoj që në veri ka një lloj identiteti, siç është e kënduara "maja krahut" siç është çiftelia, vallet e logut, me fyejet apo vallet e Tropojës.

Në albumin e parë i jeni prezantuar publikut si një grup që luan thjesht muzikë rock. Ka ndryshuar diçka në këtë album?
Mendoj se ky album është pak eksperimental, pasi përfshin të gjithë zhanret muzikore të cilat ne si grup na identifikojnë.
Është progressive rock, ka balada, është hard rock në momente të caktuara. Mendoj së është diçka brenda imazhit tonë. Ne kemi marrë ajkën e folklorit dhe e kemi luajtur sipas mënyrës së "Djemve të Detit". Po ta sillnim në atë formë atëherë do të ishte pak e pistë.
Nuk e kemi parë të arsyeshme të ketë instrumente folku në album sepse e rëndësishme është të sjellësh muzikën në kohë, në formën tënde. Në të dy albumet nuk kemi marrë asnjë instrument folklorik. Por kitarrës i është thënë të luajë në formë lahute.

A ka për të ndjerë publiku praninë e legjendës?
Unë mund të them që është një album që sa më tepër e dëgjon të fut në një proces të menduari.
Nga ana muzikore albumi i parë është pak më i thjeshtë. Mendoj që artisti është si puna e verës, sa më shumë kohë kalon aq më shumë stazhionohet edhe piqet. Shpresoj që ky album të ketë tek dëgjuesi një efekt ndoshta më të thellë, më filozofik. Është punuar më me qejf se albumi i parë.

Mund të thuhet se tani e keni gjetur tingullin tuaj?
Kemi kërkuar gjithmonë të tregojmë identitet në muzikën që bëjmë. Na ka pëlqyer t'iu këndojmë dramave ngaqë ato janë pak më të thella se për një këngë të thjeshtë që i bien gjethet dhe ka dy tri-lule.
Por them që eposi, dramat, tragjeditë janë një përvojë që duhet të na ndërgjegjësojnë, të na bëjnë të kthejmë kokën pas, të tregojmë se bijtë e kujt jemi, kujt i përkasim, pse kemi ndryshuar, pse jemi transformuar, pse mendojmë që jemi gjysmë amerikanë, gjysmë anglezë, e gjysmë italianë. Ne vijmë nga ky vend. Shumë grupe muzikore në botë luftojnë për një tingull të tyre.
Luftojnë të kenë një identitet. Muzika rock është universale, mund të shkruhet nga italianë, amerikanë, polakë, edhe shqiptarë. Po për mua, i rëndësishëm është identiteti.

A e kanë gjetur "Djemtë e detit" këtë identitet, si do të shpjegohej me fjalë?
Them që po. Në këtë album ndjehet më shumë. Pas pjesëmarrjes në një festival rock-u në vitin '94, me "Baladë për Jakup Ferrin", unë them që krijuam identitetin tonë.
Në qoftë se në albumin e parë, nëpërmjet tingullit të kitarrave dhe vokalit pa e parë figurën mund të thoshje "Këta janë Djemtë e Detit", në këtë album do të thuhet këta janë "Djemtë e Detit", ndoshta pa e dëgjuar fare zërin, vetëm tingujt e parë.

Edhe pse keni mbetur vetëm dy?
Nga formacioni i vjetër po, dy kemi mbetur. Unë dhe kompozitori Valentin Markvukaj (tastiera).
Pjesa tjetër që janë në album janë të ftuar specialë. Bëhet fjalë për kitaristët Sokol Keci dhe Arjan Gjici. Ndërsa kitaristi nga Australia Jay Zoo, ka marrë pjesë në album si kitarrë shoqëruese.

Pse një pushim kaq i gjatë? Afro 12 vjet.
Albumi është përfunduar para tre vjetësh, po nuk e shikonim të arsyeshme të nxirrnim një album në një kohë që nuk ishte për ne, nuk ishte koha jonë. Ne i përkasim brezit të grupeve që lindën në vitin 1991.
Shumë nga miqtë tanë, identitete të muzikës shqiptare kanë bërë një pauzë të gjatë duke parë që muzika është pak në krizë. Këto tre vjet kam vënë re që njerëzit nuk e konceptojnë muzikën dhe rock-un si modë.
Në radhë të parë muzika është shpirt, dhe në qoftë se të shijon si shpirt unë mendoj që nuk mund t'i ndryshosh shijet kurrë. Do të dëgjosh vetëm atë zhanër që të pëlqen, i cili në kohë do të sjellë plot krijime të reja.

Imazhi prej "Gjeneralësh"
Kopertina e albumit është një shkrirje me sfond detin me muzg të vrenjtur dhe dy siluete të veshur me uniformë të fisme ushtarakësh.
Vokalisti Gentian Demaliaj shpjegon se janë përpjekur të japin një imazh që të përfshinte të kaluarën dhe të ishte aktual. Veshjet prej gjenerali me të cilat të dy pozojnë në të gjitha fotot promovuese të albumit, janë marrë "hua" nga Teatri Kombëtar dhe janë modele uniformash të ushtarakëve të lartë anglezë të tetëqindës.
Një zgjedhje e tillë sipas Demaliajt ka të bëjë me zhanrin që luajnë i cili nuk ka lindur në Shqipëri, por duke u ndërthurur me eposin, jep pak a shumë një imazh të tillë. Megjithatë ai shton se kjo është një përzgjedhje e fotografit Bevis Fusha, i cili ka bërë gjithë konceptimin grafik të albumit.
Ajo që vetë "Djemtë e Detit" do të kishin preferuar të ishte në kopertinë ishte diçka më e lidhur me eposin dhe mesazhin e albumit. "Kishim parasysh diçka që të lidhej me "Eposin", një anije liburne, shkëmbinj, male të djegura, një lahutë e mbështetur në shkëmb ku mund të ishte ankoruar një anije. Nga ana tjetër, një shkëmb me gjelbërim, pa liburni, ne të ulur diku në sfond edhe kitarra në vend të lahutës. Retrospektiva dhe perspektiva.
Por kjo ishte e pamundur për tu realizuar në Shqipëri. Jemi të kënaqur me fotografin Bevis Fusha, pasi gjetja është brenda natyrës dhe konceptit tonë", shprehet Demaliaj.

Read more...

30 janar 2009

Gentian Demaliaj: Ju rrefej surprizen e “Djemve te detit”

Gentian Demaliaj: Ju rrefej surprizen e “Djemve te detit”
Solisti i grupit “Djemtë e detit” tregon se vitin tjetër do të jetë konkurrent në Festivalin e RTSH- së. Rikthimi si grup me një album të ri dhe marrëdhënia me të bijën 10-vjeçare, Edea:
Keni kohë që i mungonit skenës dhe ju pamë si anëtar jurie i Festivalit në RTSH. Si e pritër ftesën?
Ftesa mu bë nga drejtori i RTSH- së Petrit Beci dhe drejtori artistik i festivalit, Pirro Çako. Natyrisht që u mendova pasi bëhej fjalë për këngëtarët kolegë, edhe pse nuk kam pasur kontestime me ta. Por mund të them se gjatë votimit nuk jam marrë me emrat, por me këngët. Aq vend sa zunë këngët tek unë, aq pikë u dhashë, kam votuar me shpirt.
Njohja juaj me këngëtarët si ishte, dhe për cilën këngë ishit?
Në fakt me disa prej këngëtarëve kam thjesht përshëndetje, por pikët maksimale ia dhashë këngës “Ajër” të Besa Kokdhimës.
Nëse do t’ju pyesnim si profesionist i muzikës, si ju duk ky festival, si do përgjigjeshit?
Më pëlqeu. Mbetet festivali ikonë në Shqipëri, realizohet “live” dhe nuk sjell këngë komerciale.
Disa këngëtarë stonuan, ju si mendoni janë këngëtarët tanë të aftë të përballojnë të kënduarin “live”?
Besoj po. Pati këngëtarë me identitete pa e pasur të nevojshme t’i ngjasojnë ndonjë këngëtari, që
mund ta kenë pasur idhull. Ju vetë keni hequr dorë kështu nga konkurrimi në festival?
Jo nuk kam hequr dorë, por këtë vit nuk gjeta kohë për realizuar një këngë në festival, pasi jam marrë me përgatitjen e albumit të dytë të grupit “Djemtë e detit”, me titullin “Epos”, që do të publikohet së shpejti.
Ç’po ndodh me grupin “Djemtë e detit”?
“Djemtë e detit” janë mirë dhe me albumin e tyre të dytë do të nisin një tur në të gjithë Shqipërinë.
Kanë kaluar 17 vite nga dalja juaj e parë. Çfarë ka ndryshuar nga Genti i atyre viteve?
Po, ishte viti ’91, kur ne dolëm si grup për herë të parë në skenë, viti kur u krijuan grupet e para në
konshme. Për më shumë, ju lë ta çoni mendjen ku të doni, gjithashtu lidhet edhe me eksodin e vitit ’91.
Këngët tuaja kanë shumë dhembje, pse?
Hidhni sytë brenda këtij realiteti ku ne jetojmë dhe a nuk ju duket kështu?! I përkasim këtij vendi, ndaj dhe kemi menduar të prekim temat sociale të ditëve të sotme. Mund të flasim për jetën tuaj private, shumë pak e dinë se ju jeni babai i një vajze 10 vjeçe?
Po, jam babai i Edeas, e cila është këngëtare shumë e talentuar. Vitin e kaluar ajo fitoi në Festivalin e Shkodrës, çmimin “Zërat më të mirë”, ndërsa në Festivalin e Tiranës u vlerësua me çmimin “Interpretuesja më e mirë”. Mendoj se do të bëhet këngëtare shumë e mirë, pasi e ka njohur shpejt talentin e saj.
Duke u nisur nga aparenca të lini përshtypjen e beqarit të përjetshëm. Çfarë babai ndiheni?
Ngaqë jam njeri më shpirt të lirë mbase lë këtë përshtypje. Por mund të them se Edea më ka idhull dhe e dua fort.
Visheni njësoj si atëherë, me të zeza, pse?
Po, veshja më ka ngelur në shpirt si muzika. Jam kërkues ndaj veshjes dhe aksesorëve njësoj, si me muzikën që bëj.
Muzika juaj nuk është komerciale, si i siguroni të ardhurat tuaja?
I vetmi përfitim është nga muzika. Por edhe nëse nuk fitoj shumë nga ajo më plotëson shpirtërisht.

Read more...

22 janar 2009

Djemte e Detit "Nje Ere e Re"

Nga: Darien Levani

Djemte e detit i degjon per here te pare kur je nen 10 vjeç. Une isha edhe ne nje moshe me te vogel ndoshta, por jam i bindur qe te gjithe admiruesit e tyre te sotem ishin rreth 10 vjeç. Nese i degjon me vone nuk je me aq i pafajshem sa ti kuptosh, nesei degjon me heret nuk e mban mend se si filloi kjo aventure.

Grupi zbret ne skene me nje peshe te madhe mbi supe, nje peshe qe ndoshta as ata vete nuk e kuptonin ne ate moment: duhet ti jepnin goditjen e fundit atij festivali konform, nje festival i bere prej kengesh mbi grurin, mbi misrin, mbi gezimin e koperatives e nocione te tilla. Jemi diku tek 1992, 1993, kitara elektrike konsiderohet akoma arme e djallit, nje djale me floke te gjata eshte akoma turp dhe vetem para disa muajsh çdo polic i ndershem e ndjente si detyre te te kapte ne rruge edhe te çonte ne rajon per te te prere floket. Dhe vetem Z-ti e di se si ja ka bere Genti qe ti rrisi floket aq shpejt dhe tu shpetoje berbereve te proletariatit.

Nuk besoj se Djemte e kuptojne rendesine e tyre, por e di qe nuk u rruhet fare. Zbresin, kendojne, ikin. Nuk kerkojne aprovimin e publikut, nuk mundohen as te joshin as ti pelqejne, ndoshta e dine edhe ata qe publiku eshte armiqesor – gruri dhe misri, siç ju thashe - ashtu si vete organizuesit e festival. Ushtarakisht pjesemarrja e tyre mund te konsiderohet si deportim ne radhet e armikut. Tani, le te jem i sinqerte. Kenga e tyre e pare, Sa shume qe kam gabur, eshte e shemtuar, eshte kenga me e dobet qe kane shkruar ndonjehere, aq saqe edhe ata nuk do e perfshijne ne permbledhjen e tyre te pare. Por çeshtja eshte qe kjo nuk ka rendesi fare, kuptoni? Kenga eshte dytesore, eshe nje detaj i vogel, ajo qe eshte e rendesishme eshte qe dikush e ka kenduar. Me se fundmi nje dashuri qe shkon keq ne kundershtim me fundin e lumtur qe kishin dashuriçkat ne aventura koperativash apo ne rregullimin e hekurudhes. Ndonje dashuri e tille mund te shkonte keq vetem nese djalin apo vajzen e shpypte autokombanja. Kjo zakonisht nuk ndodhte sepse autokombanja ishte e mire dhe te dy martoheshin me aprovimin e prinderve dhe shume te fala.

Jo Djemte e Detit. Keta nuk mundohen te joshin publikun, nuk kerkojne aprovimin e popullit me ndonje kenge prekese, qofte edhe te sinqerte mbi emigrimin apo mbi Kosoven. Dalin, zbresin, kendojne, pershendesin, ikin. Eshte ne kete moment te sakte qe rock n’roll zbarkon edhe ne token e shqiponjes.

Read more...

08 dhjetor 2007

Si Na Perjashtoi Gjebrea Nga Gara

Për pesë vjet kanë qëndruar larg skenës, të mbyllur mes tingujve në studio. Grupi “Djemtë e Detit” ka zgjedhur “Këngën Magjike” për të provuar sërish konkurrimin. Por kanë provuar zhgënjimin. “Në udhëkryq”, kënga e tyre me tekst të Timo Fllokos, nuk ka mundur të ngjitet në Pallatin e Kongreseve. Në internet janë lajmëruar se janë përjashtuar në gjysmëfinale. Genti Demaliaj, solisti i grupit ka zgjedhur të reagojë. Ai shprehet se asgjë nuk është transparente në këtë festival, e madje aludon se çmimet janë të paracaktuara. Demaliaj hedh akuza ndaj Ardit Gjebresë, duke e quajtur festivalin “Kënga Magjike” të familjarizuar e të kthyer në një monopol. Në intervistën e mëposhtme ai shpjegon këtë përplasje, por edhe punën drejt një albumi që së shpejti do të dalë në treg.

Kënga juaj është eliminuar nga festivali “Kënga magjike” dhe ju reagoni ndaj kësaj. Mendoni se ka prapaskena?

Ne kemi marrë pjesë në shumë festivale dhe më vjen keq që duhet të flas për një artist me pretendime si zoti Ardit Gjebrea. Por mendoj se ai ka realizuar festivalin më magjik ku unë kam marrë pjesë ndonjëherë, por në botën e iluzionistëve dhe jo në botën e këngëve. Madje do ta konsideroja një festival personal dhe familjar të zotit Gjebrea dhe miqve të tij. Jam jashtë mase i çuditur. Kam marrë pjesë me kënaqësinë më të madhe, kam menduar se kishim sjellë një këngë të mirë dhe përjashtimi ishte rezultati. Jam i sigurt se pjesëmarrja ime në Pallatin e Kongreseve do të rrezikonte çmimet, të cilat janë ndarë që më përpara në këtë festival.

Mes kujt janë ndarë?
Çmimet ndahen mes dy kompozitorëve miq të tij, mes Armend Rexhepagiqit dhe Flori Mumajesit. Edhe më parë më kanë thënë që ka një listë të gatshme, por nuk e kisha besuar.

Cilët kanë vendosur për këngët që do të përjashtoheshin?

Na kanë thënë se votimi është bërë përmes AMC-së, por si mund ta besoj unë se këto janë rezultatet konkrete. Unë nuk mund të kontrolloj dot asgjë. Miq të mi më telefonuan pasi kishin parë në internet se ishin skualifikuar. Kënga u eliminua në gjysmëfinale dhe unë mendova se është një gabim në internet. Më pas e verifikuam dhe një veprim i tillë më duket amatoresk. Madje në një emision televiziv ai ka deklaruar se kanë konkurruar 270 këngë dhe kanë fituar 54. Por nga këto 54 këngë, 10 janë të një kompozitori dhe një pjesë e mirë e atyre të mbeturave e kompozitorit tjetër. Ndryshimi i vetëm është që Rexhepagiqi ka preferenca serbe dhe tjetri ka preferenca turbo-orientale. Në konkurrim kanë mbetur vetëm 40 këngë pas eliminimit të 14 të tjerave, mes të cilave ishte edhe kënga e “Djemtë e Detit”.

Tentuat të merrni shpjegime nga zoti Gjebrea?

I bëra një telefonatë për të kuptuar nëse bëhej fjalë për ndonjë gabim ose jo. “Më vjen keq i dashur, por kënga nuk ka kaluar”, - ishte e vetmja përgjigje që mora. Me Arditin si personazh kam dashur të luaj rolin e fisnikut, pavarësisht se unë mendoj e madje jam i sigurt se ai nuk ka dëshirë që në këtë vend të ketë këngëtarë dhe grupe të mirë. Nuk do rivalitet, pavarësisht se është producent e jo pjesëmarrës. Për të mjafton të mos ketë rrotull njerëz që e shqetësojnë me praninë e tyre dhe me këngët që sjellin. Kjo nuk është hera e parë që e tregon.

Ku e bazoni këtë konstatim?

Unë nuk gjej emrin e ndonjë artisti shqiptar ndaj të cilit Arditi flet me konsideratë të veçantë, përveç miqve të tij.
Pse keni zgjedhur “Kënga Magjike” për t’u kthyer në konkurrim pas disa viteve mungesë?
Pas “Mikrofonit të Artë” të vitit 2002, ku morëm edhe çmimin e parë, nuk morëm më pjesë në festivale. Janë 5 vjet mungesë. Kënga ishte një baladë dashurie e titulluar “Në udhëkryq”, me tekst të Timo Fllokos. Muzika dhe orkestrimi janë realizuar nga Valentin Duka. Tashmë ne bëjmë muzikë tonë, kemi fansa që na ndjekin dhe e dimë se çfarë duhet të sjellim për ta. Kam marrë shumë telefonata dhe mesazhe urimi për këngën dhe nuk ekziston asnjë lloj mundësie që ajo të jetë përjashtuar nga një juri. Aty mund të jetë vetëm një juri fantazmë që përbëhet nga persona inekzistent. Çdo gjë është bërë nga komandanti i stafit, prezantuesi, menaxheri, iluzionisti, Gjebrea, jam shumë i sigurt për këtë.

Po Timo Flloko si e priti përjashtimin?

Shumë i çuditur. Reagimi nuk ishte vetëm për tekstin, por për këngën në tërësi. Nga njëra anë më vjen mirë që tashmë nuk konkurroj me njerëz, ku përveç një pakice të vogël, nuk janë profesionistë. Duhet të na thuhej që në fillim nëse kishin vendosur që të ishte një festival me drita të kuqe.

Ç’doni të thoni me drita të kuqe?

Nëse kishin vendosur të bënin një festival ku një grup gocash të zhvishen e të vishen, duhet ta dija që në fillim, edhe pse kjo nuk ka lidhje me këngën. Keqardhja më e madhe është që Gjebrea deklaron në emisionin “Deja vu”, se duhet të mbyllen stacionet televizive që transmetojnë muzikë të vjedhur, të kopjuar, ndërkohë që bën një festival po të tillë. Atëherë ai duhet të gjejë vetveten. Më vjen keq që ai nuk është aspak transparent dhe festivalet që organizon i ka monopolizuar. Këngët janë në fazën e paraqitjes, pa kaluar në atë eliminatore dhe Gjebrea deklaron se më të pëlqyerit janë Aurela Gaçe, Elvana Gjata, Leonora Jakupi, Jehona Sopi etj. Kjo nuk është aspak profesionale dhe nuk ndodh që në një festival producenti apo muzikanti të stimulojë ndikime.

Ka pasur reagime nga të përjashtuarit e tjerë?

Këtë nuk mund ta them. Di vetëm që një nga emrat që u tërhoq nga ky festival është edhe këngëtari Pirro Çako, i cili nuk konkurroi fare. Por unë reagoj kundrejt eliminimit për këngën dhe jo vet faktit. Nuk kam bërë këngë për çmime, por për auditorin. Unë kam bërë këngë për auditorin. Kur veprohet me të padrejtë, kur ndërtohet një festival në bazë të interesave vetjake dhe të miqve, atëherë më mirë të më thuhet se jam në vendin dhe festivalin e gabuar se sa të vihem në garë me pseudoartistë.

Jeni penduar që morët pjesë te “Kënga Magjike” dhe nuk provuat diku tjetër?

Nuk jam penduar për të vetmen arsye, sepse kam marrë shumë telefonata dhe kam pasur shumë mbështetje. Por ka ardhur koha që në Shqipëri të mbyllen monopolizimet dhe manipulimet në festival. Njerëz që ndryshe janë e ndryshe hiqen nuk duhet të vazhdojnë më të ndërtojnë muzikën shqiptare.

Në tregun e muzikës dëgjojmë mijëra këngë, nga më të ndryshmet. Ju duket vetja pak Don Kishotë që ngulmoni në idealet e tuaja?

Unë mendoj që është më mirë të kesh 10 njerëz të saktë që dëgjojnë me kënaqësi muzikën tënde se sa të komercializohesh. Për mua muzika nuk është modë. Muzika është shpirt dhe kjo do jetë fazë kalimtare. Ne kemi vuajtur për të krijuar imazhin e “Djemve të Detit”. Fillimet normalisht kanë qenë me ndikime perëndimore si të gjithë, por mendoj që tani kemi gjetur veten dhe muzikën tonë e do t’i përmbahemi asaj gjithë kohës.

Si është procesi juaj krijues?

Kemi një kompozitor me të cilin bashkëpunojmë e shkëmbejmë mendime. Mendoj se është më mirë që fillimisht të krijohet muzika e në bazë të saj të bëhet teksti. Shumicën e teksteve të albumit që kemi duke përfunduar i kam shkruar unë, por kemi edhe bashkëpunime të tjera, siç ishte ai me Timo Fllokon.

A mund të jetosh me muzikë sot?

Është e vështirë, por mund të thuhet se mbijetohet me albume, me koncerte, me aktivitete dhe angazhime në lokalet e natës.

Aty i kaloni netët?

Kam punuar dikur nëpër pub-e, por tani jemi duke punuar për përfundimin e albumit dhe na ka marrë kohë. Ndoshta më vonë.

Deri ku jeni me realizimin e albumit?

Jemi pothuajse në këngën e fundit dhe shpejt do të jetë në treg. E kemi titulluar “Epos” dhe mendoj se është me interes kur tregon se ky grup i përket këtij vendi, bazohet në motivet e tij, ka kitara që luajnë në formë lahute etj.

Keni mbaruar një shkollë aktrimi, ndërkohë që gjithë kohës jeni marrë me këngën…

Mendoj që ndikon shumë në interpretim. Teatri me muzikën bashkohen në faktin që mesazhi përcillet me fjalë dhe është fjala dhe loja shpirtërore që infiltron te publiku. Sa më i vërtetë të jesh, aq më shumë përjetohet.

Si janë ditët e zakonshme të Gentit?

Deri tani kemi qenë duke përfunduar albumin dhe pjesa më e madhe ka qenë puna në studio. Një pjesë i rezervohet takimeve me shokë e miq, kafenetë dhe ndonjëherë dhe pub-et.

Read more...

06 dhjetor 2007

Rikthehen Djemte e Detit

”Epika” e rikthimit per Djemte e Detit

Nga emrat e parë të grupit ata që nuk kanë lëvizur janë Genti Demaliaj dhe Valentin Vukaj. Por në rikthimin e afërt të tyre me albumin me titull “Epika “ që pritet të dalë shumë shpejt, përkrah me dy pjesëtarët e njohur të grupit janë rreshtuar edhe dy muzikantë të tjerë, Sokol Keci dhe Arjan Gjici.

Gent Demaliaj, i njohur nga të gjithë si solisti i grupit “Djemte e detit” i vogël ka ëndërruar të bëhet futbollist, por në të njejtën kohë ai, falë talentit, u gjend i tërhequr nga muzika. Madje ai tregon se kur ishte 6 vjeç, sa herë që këndonte pritej mirë nga të gjithë dhe në një farë mënyrë ishtë vetë muzika që e zgjodhi atë. Tani pas një eksperience të gjatë në skenë, Genti rrëfen për ne se ajo e ka ndihmuar të gjejë veten dhe të krijojë origjinalitetin e tij. Madje gjithë vitet e kaluara me muzikën po e ndihmojnë për t’u rikthyer me një nivel të lartë artistik.

Si lindi ky album dhe cilët janë bashkëpunëtorët?
Kemi 7 vite që nuk dalim me një album të ri. Gjithë këtë kohë kam menduar gjatë për t’u rikthyer me një album që do të ruajë traditën dhe emrin e mirë që gëzon grupi “Djemtë e detit”. Një shtysë dhe një ndihmë të madhe pata edhe nga miku im dhe kompozitori Valentin Vukaj, pa përjashtuar kënaqësinë e bashkëpunimit me aktorin dhe poetin Timo Flloko i cili ka krijuar 5 tekste këngësh - dukej sikur prej vitesh ishte anëtar i grupit edhe ai. Ishte një eksperiencë mjaft e bukur të punoje edhe përkrah kitaristëve mysafirë të këtij albumi. Dua t’i falënderoj të gjithë. Sepse krijimet tona janë të mbështetura në eposin e lashtë. Notat e këngëve janë bazuar në harmoninë e tingujve epikë të veriut. Në muzikën tonë do të ndihen instrumente si fyelli e lahuta që fare mirë janë lidhur me rrymën Progressive Rock.

Ku qëndron lodhja për të bërë një album të arrirë?
Mendoj se lodhja më e madhe është psikologjike. Por nuk mund të lesh pa përmendur fazën e përzgjedhjes së materialeve muzikore.Gjithashtu tekstet duhet të jenë të goditura dhe të kenë kuptim e të lidhen bukur me muzikën. Edhe vështirësitë ekonomike janë të pranishme por këtë po e radhis të fundit. Kemi bërë të pamundurën që albumi të jetë i një niveli të lartë miksazhi dhe masterizimi i tij do të bëhet në Australi.

Çfarë do të sillni ndryshe në albumin tuaj të ri?
Në këngët tona do të ndihet aktualiteti, kjo në muzikë por sidomos në tekstet e këngëve. Ato do t’u këndojnë nënës, gjakmarrjes, problemeve që përballet realiteti shqiptar. Por në album ka vend gjithashtu edhe për dashurinë.

A do të ketë këngë komerciale në album?
Po, ndodhet një e tillë. Kemi dashur të prezantojmë një këngë që i përket rrymës Hip-Hop & Progressive Rock.

Çfarë prisni në këtë rikthim nga fansat tuaj?
Shpresoj që ashtu si në fillimet e karrierës së grupit “Djemtë e detit” fansat të na presin me dashuri dhe gjatë mungesës tonë ata të jenë shtuar..

Read more...

  ©Designed by Dendi.