03 korrik 2009

“Djemtë e detit”, festojnë rikthimin e tyre me një album të ri

Një festë shumë speciale ka qenë ajo që kanë organizuar këngëtarët e grupit “Djemtë e detit” të enjten në mbrëmje në lokalin “Austria” në Tiranë. Solisti Gent Demaliaj kishte ftuar shumë miq artistë për promovimin e albumit të dytë të grupit me titullin “Epos”, i konsideruar kështu si një rikthim i djemve në tregun muzikor. Të veshur sërish me të zeza, ata kanë transmetuar në sfond këngët e reja, tekstet e të cilave janë krijuar kryesisht nga Timo Flloko e Mimoza Ahmeti, të dy të pranishëm në këtë promovim. Po ashtu ishin në festë shumë këngëtarë të rinj si; Besa, Çiljeta e Ingridi, balerini Gerd Vaso, personazhet e “Big Brother 1”, Arbri, Olsi, Noçja, Romina, Jonida, e shumë artistë e gazetarë. Vetëm tre muaj më parë në një intervistë për “Panorama Plus”, ata njoftuan se nuk ishin shkrirë si grup, dhe ky fakt do të vërtetohej me albumin e ri “Epos”, që po përgatisnin të hidhnin në treg. Ata numërojë 17 vite nga dalja e tyre e parë në skenë, dhe kanë menduar që t’i prezantojnë këngët e reja me një tur koncertesh, që do të nisin në gjithë Shqipërinë. Solisti i grupit, Gent Demaliaj, i cili ishte një nga anëtarët e jurisë së Festivalit të 46-të të Këngës në Radio-Televizion ka pohuar se “Djemtë e detit” këtë vit ka shumë mundësi që të marrin pjesë si konkurrentë në këtë festival.

0 Komente:

Posto një koment

  ©Designed by Dendi.