05 korrik 2009

Djemte e Detit – Eposi ashtu si nuk e keni dëgjuar kurrë

Nga: Darien Levani
Ndonjëhere koinçidencat habisin.
Grupet kanë bërë albumin mbas shumë vitesh pushim. Një album që po presim prej të paktën 10 vitesh. Të dy ishin në maksimumin e tyre, ishin përfaqsuesit më në ze të një skene me të gjerë që shkatërruan me suksesin e tyre. Pastaj lindën problemet brenda , vonesat, zëra për shkatërrim bashkim ri-shkatërrim ri-bashkim, një farë telenovele rock. Më në fund rikthehen, ndërsa publiku i tyre ka ndryshuar.Ishte viti 1996 apo diku aty afër, albumi duhet të quhej Chinese Democracy. Ndërkohe prisnim edhe Djemte e Detit. Duhet të kalonin mbi dhjetë vjet për të dëgjuar këto dy albume, që dalin pak muaj mbas njëri tjetrit. Dashje pa dashje, DED vazhdojnë t’u ngjajne GnR edhe në vonesat e tyre.

Epos nuk është i thjeshtë, as për gjykim as për degjim. Ata që ngelen nga Djemtë e Detit – Gentian Demailiaj dhe Valentin Markvukaj – kanë marrë përsiper një album amicioz dhe shumë të vështire për tu realizuar, një koncept album mbi eposin, siç titullohet edhe disku, ndoshta të influencuar nga Ballada për Jakup Ferrin, këngë e cila për shumë veta, ngelet interpretimi i tyre më i mire, ndër këngët e pakta që përfaqsojne denjësisht rockun e pastër shqiptar.

Një album sa intim aq edhe publik. Një interpretim historik, një zhytje në të kaluarën e largët në stil rock. Shumë gjëra kanë ndryshuar në këtë copë toke. Ashtu si edhe zëri i i Gentit. Ka humbur arrogancën e rockstarit, është bërë diçka më e prekshme, me një doze vuajtje që nuk e shoqëronte në këngë si Mos qaj, ku ishte me thjesht një spektator i dhimbjes. Nuk është me keshtu, është brënda saj nëse është e nevojshme, e ndjen dhe e përcjell.

Ka, perveç kësaj, një sensibilizim të çunave për historine e atdheut dhe mbi historinë e këtij, që kohët e fundit është sa e rrallë aq edhe e nevojshme. DeD firmosin një homazh për Shqipërine, një album që lind diku nëpër bjeshka, një kryevepër që herë pas herë arrin maja që prekin punen kolosale të Mitrush Kutelit. Thërrisni një prift për Markvukaj, ky djalë ka një djall brënda, një krijesë të papërmbajtshme që shfryhet mizorisht mbi tastjerë për të na dhënë tinguj hyjnore, padyshim në rritje në krahasim me vite më para. Ndonjëherë përshtypja është ajo që grupi i ka kuptuar kufinjtë e tij dhe ka rënë në paqë me to. Dhe, edhe pse here pas here kitara duket sikur e tepron, sikur po mundohet të tregojë se sa i mirë është, ky është një detaj i anashkalueshem, sidomos duke parë që behet fjale për një kitarist premtues siç duket Sokol Keci, lead and ryth guitar për gati të gjithe këngët përveç Përrallë dashurie ku për tu zbavitur e kanë radhën Arjan Gjeci me Markvukaj që luajnë e kënaqën teksa gjenden e lihen. S’është e veshtire ti imagjinosh ndërsa gjatë rregjistrimit shkëmbejnë shikime mirëkuptimi.

Akoma, deri me sot, nuk ka shifra mbi shitjen e albumit. Duke parë situatën në Shqipëri, frika është që një album i tillë, i vetë prodhuar, me vështirësi do arrijë të nxjerri shpenëzimet e veta. Të jetë kjo vallë arsyeja për të cilën djemtë kanë pritur kaq shumë për tu rikthyer në skenë? Kam frikë se po, ndaj këshilla më e vështirë e me e vlefshme është kjo : ndihmojini këta çuna që bejnë art, fikini ata dreq kompjuterash e shkoni blijeni në një dyqan disqesh. Si njëhere e një kohë. Për veten tuaj, për Djemtë e Detit, për kulturë, për tu dhënë një shpresë atyre grupeve të tjerë qe në hije sakrifikojnë për të rregjistruar edhe një këngë të vetme sepse, siç thonë këtej, Kultura nuk të jep pasuri, përkundrazi, t’a kërkon.

Djemtë e Detit – Epos.
Tekstet : Gentian Demaliaj, Timo Flloko, Mimoza Ahmeti
Muzika : Valentin Markvukaj
Këngë speciale : Djemtë e detit, Beteja e dhimbjes, Përrallë dashurie
Zgjat : 45 minuta 39 sekonda

1 Komente:

Unknown 05 korrik, 2009  

i pres me interes te madh

Posto një koment

  ©Designed by Dendi.