28 maj 2009

Grupi muzikor "Djemtë e Detit" publikon "Epos", albumi që vjen pas 12 vjet heshtjeje.

Rikthehen me muzikën që e konsiderojnë "identiteti i Djemve të Detit": aromë folklori me instrumente moderne
Grupi muzikor "Djemtë e Detit" ka zgjedhur Ditën e Verës për të publikuar albumin "Epos". Të gjitha krijime për të cilat dy "Djemtë e Detit" (kaq ka mbetur grupi tashmë) Gentian Demaliaj dhe Valentin Markvukaj, janë frymëzuar nga eposi i Kreshnikëve.
Tetë këngë dhe dy pjesë orkestrale. Kompozitori Markvukaj ka krijuar gjithë vijën muzikore të "Epos", ndërsa tekstet kanë për autor Demaliajn dhe pak nga aktori Timo Flloko. Albumi është përfunduar para tri vitesh, kohë aspak e mbarë për muzikën rock në Shqipëri.
Kështu që vokalisti dhe lideri i përhershëm i "Djemve" priti pak dhe tani mendon që publiku është gati të mirëpresë muzikën progresiv rock që sjell "Epos", albumi që vjen 12 vjet pas të parit. 50 minuta muzikë të cilën vokalisti tenton ta shpjegojë në intervistën e mëposhtme. Prezantimi për publikun e gjërë mendohet të bëhet me kocerte nëpër Shqipëri.

12 vjet për albumin me titull sugjestionues "Epos". Çfarë po na sugjeroni me këtë emër?
Dikur në kohët e lashta njerëzit kanë qenë më të afërt, më të sinqertë, më njerëzorë. Duke menduar që në kohën që jetojmë kjo lloj lidhjeje, ky lloj zinxhiri jetësor ka filluar çuditërisht të shpërbëhet kemi vendosur ta titullojmë "Epos". Jemi kthyer në retrospektivë për perspektivën, duke u përpjekur që në të ardhmen të ruajmë diçka nga vlerat e së shkuarës.

Çfarë ka marrë Eposi i "Djemve të Detit" nga ai i Kreshnikëve?
Në album ndjehet se këngët përveçse mbajnë aromë deti mbajnë edhe aromë veriu, vendi i origjinës tonë. Kënga përfaqësuese e albumit, "Epos" fillon me një zë bjeshkësh, "maje krahut" quhet e kënduara. Fillon si thirrje dhe më vonë futen elementë të tjerë muzikorë dhe muzika shndërrohet në progressive rock. Ajo këngë i dedikohet dy personave.
Unë ia kam dedikuar gjyshit tim Shaban Haxhi Demaliaj, ndërsa Valentini ia ka dedikuar muzikën dajës së tij Luk Kaçaj. Albumi fillon me këngën me të njëjtin titull, "Epos", e cila ka motive të Veriut. Këtu kitarrat në momente të caktuara, luajnë në formë lahute.

Kënga e fundit titullohet "Djemtë e detit" që duket sikur flet për ne, por në fakt jo. Iu dedikohet të gjithë atyre që emigruan për një jetë më të mirë. Fjalët e saj të fundit thonë:
"Në gur do të skalitet/në këtë dhe në atë jetë/emri i kështjellës time/djemtë e të madhit det. I thërras kësaj toke ku i kam dhe etërit/ emri i mbretërisë sime/vjen nga djemtë e detit." Unë mbretëroj në sajë të tyre, dmth vazhdoj të këndoj në sajë të tyre.

Eposi i kreshnikëve i kalon kufijtë juridikë të Shqipërisë dhe shtrihet dhe më tej në vendet e rajonit. Po muzika juaj sa është ndikuar nga ajo ballkanase?
Nuk jemi futur aspak në Ballkan, ne jemi futur vetëm në Eposin shqiptar të Kreshnikëve. Mendoj që ne nuk na personifikon Ballkani, po trevat dhe kjo tokë të cilës i përkasim. Nuk më pëlqen që të marrim një lugë në Bullgari, një në Rumani, një në Serbi apo Greqi dhe të bëjmë turli të çuditshme.
Nuk do ta preferoja kurrë këtë. Nuk është për faktin se jemi nacionalistë, por folku, muzika folklorike, mendoj që është flamuri i një kombi. Muzikën klasike mund ta bëjë kushdo, por me folkun është ndryshe. Është njësoj si të vjedhësh flamurin grek dhe ta vendosësh tek Kryeministria.
Folku shqiptar është një bazë shumë e mirë për të krijuar muzikë, mund të them që është autentik. Sidomos mendoj që në veri ka një lloj identiteti, siç është e kënduara "maja krahut" siç është çiftelia, vallet e logut, me fyejet apo vallet e Tropojës.

Në albumin e parë i jeni prezantuar publikut si një grup që luan thjesht muzikë rock. Ka ndryshuar diçka në këtë album?
Mendoj se ky album është pak eksperimental, pasi përfshin të gjithë zhanret muzikore të cilat ne si grup na identifikojnë.
Është progressive rock, ka balada, është hard rock në momente të caktuara. Mendoj së është diçka brenda imazhit tonë. Ne kemi marrë ajkën e folklorit dhe e kemi luajtur sipas mënyrës së "Djemve të Detit". Po ta sillnim në atë formë atëherë do të ishte pak e pistë.
Nuk e kemi parë të arsyeshme të ketë instrumente folku në album sepse e rëndësishme është të sjellësh muzikën në kohë, në formën tënde. Në të dy albumet nuk kemi marrë asnjë instrument folklorik. Por kitarrës i është thënë të luajë në formë lahute.

A ka për të ndjerë publiku praninë e legjendës?
Unë mund të them që është një album që sa më tepër e dëgjon të fut në një proces të menduari.
Nga ana muzikore albumi i parë është pak më i thjeshtë. Mendoj që artisti është si puna e verës, sa më shumë kohë kalon aq më shumë stazhionohet edhe piqet. Shpresoj që ky album të ketë tek dëgjuesi një efekt ndoshta më të thellë, më filozofik. Është punuar më me qejf se albumi i parë.

Mund të thuhet se tani e keni gjetur tingullin tuaj?
Kemi kërkuar gjithmonë të tregojmë identitet në muzikën që bëjmë. Na ka pëlqyer t'iu këndojmë dramave ngaqë ato janë pak më të thella se për një këngë të thjeshtë që i bien gjethet dhe ka dy tri-lule.
Por them që eposi, dramat, tragjeditë janë një përvojë që duhet të na ndërgjegjësojnë, të na bëjnë të kthejmë kokën pas, të tregojmë se bijtë e kujt jemi, kujt i përkasim, pse kemi ndryshuar, pse jemi transformuar, pse mendojmë që jemi gjysmë amerikanë, gjysmë anglezë, e gjysmë italianë. Ne vijmë nga ky vend. Shumë grupe muzikore në botë luftojnë për një tingull të tyre.
Luftojnë të kenë një identitet. Muzika rock është universale, mund të shkruhet nga italianë, amerikanë, polakë, edhe shqiptarë. Po për mua, i rëndësishëm është identiteti.

A e kanë gjetur "Djemtë e detit" këtë identitet, si do të shpjegohej me fjalë?
Them që po. Në këtë album ndjehet më shumë. Pas pjesëmarrjes në një festival rock-u në vitin '94, me "Baladë për Jakup Ferrin", unë them që krijuam identitetin tonë.
Në qoftë se në albumin e parë, nëpërmjet tingullit të kitarrave dhe vokalit pa e parë figurën mund të thoshje "Këta janë Djemtë e Detit", në këtë album do të thuhet këta janë "Djemtë e Detit", ndoshta pa e dëgjuar fare zërin, vetëm tingujt e parë.

Edhe pse keni mbetur vetëm dy?
Nga formacioni i vjetër po, dy kemi mbetur. Unë dhe kompozitori Valentin Markvukaj (tastiera).
Pjesa tjetër që janë në album janë të ftuar specialë. Bëhet fjalë për kitaristët Sokol Keci dhe Arjan Gjici. Ndërsa kitaristi nga Australia Jay Zoo, ka marrë pjesë në album si kitarrë shoqëruese.

Pse një pushim kaq i gjatë? Afro 12 vjet.
Albumi është përfunduar para tre vjetësh, po nuk e shikonim të arsyeshme të nxirrnim një album në një kohë që nuk ishte për ne, nuk ishte koha jonë. Ne i përkasim brezit të grupeve që lindën në vitin 1991.
Shumë nga miqtë tanë, identitete të muzikës shqiptare kanë bërë një pauzë të gjatë duke parë që muzika është pak në krizë. Këto tre vjet kam vënë re që njerëzit nuk e konceptojnë muzikën dhe rock-un si modë.
Në radhë të parë muzika është shpirt, dhe në qoftë se të shijon si shpirt unë mendoj që nuk mund t'i ndryshosh shijet kurrë. Do të dëgjosh vetëm atë zhanër që të pëlqen, i cili në kohë do të sjellë plot krijime të reja.

Imazhi prej "Gjeneralësh"
Kopertina e albumit është një shkrirje me sfond detin me muzg të vrenjtur dhe dy siluete të veshur me uniformë të fisme ushtarakësh.
Vokalisti Gentian Demaliaj shpjegon se janë përpjekur të japin një imazh që të përfshinte të kaluarën dhe të ishte aktual. Veshjet prej gjenerali me të cilat të dy pozojnë në të gjitha fotot promovuese të albumit, janë marrë "hua" nga Teatri Kombëtar dhe janë modele uniformash të ushtarakëve të lartë anglezë të tetëqindës.
Një zgjedhje e tillë sipas Demaliajt ka të bëjë me zhanrin që luajnë i cili nuk ka lindur në Shqipëri, por duke u ndërthurur me eposin, jep pak a shumë një imazh të tillë. Megjithatë ai shton se kjo është një përzgjedhje e fotografit Bevis Fusha, i cili ka bërë gjithë konceptimin grafik të albumit.
Ajo që vetë "Djemtë e Detit" do të kishin preferuar të ishte në kopertinë ishte diçka më e lidhur me eposin dhe mesazhin e albumit. "Kishim parasysh diçka që të lidhej me "Eposin", një anije liburne, shkëmbinj, male të djegura, një lahutë e mbështetur në shkëmb ku mund të ishte ankoruar një anije. Nga ana tjetër, një shkëmb me gjelbërim, pa liburni, ne të ulur diku në sfond edhe kitarra në vend të lahutës. Retrospektiva dhe perspektiva.
Por kjo ishte e pamundur për tu realizuar në Shqipëri. Jemi të kënaqur me fotografin Bevis Fusha, pasi gjetja është brenda natyrës dhe konceptit tonë", shprehet Demaliaj.

3 Komente:

Anonim,  18 mars, 2009  

Kur do e nigjojme kete album pra se keshtu nga fjalet duket spektakolar.

Anonim,  19 mars, 2009  

Tani po qe ke qejf te degjosh muzike shqip

Anonim,  16 tetor, 2010  

The best grouo

Posto një koment

  ©Designed by Dendi.