06 dhjetor 2007

Rikthehen Djemte e Detit

”Epika” e rikthimit per Djemte e Detit

Nga emrat e parë të grupit ata që nuk kanë lëvizur janë Genti Demaliaj dhe Valentin Vukaj. Por në rikthimin e afërt të tyre me albumin me titull “Epika “ që pritet të dalë shumë shpejt, përkrah me dy pjesëtarët e njohur të grupit janë rreshtuar edhe dy muzikantë të tjerë, Sokol Keci dhe Arjan Gjici.

Gent Demaliaj, i njohur nga të gjithë si solisti i grupit “Djemte e detit” i vogël ka ëndërruar të bëhet futbollist, por në të njejtën kohë ai, falë talentit, u gjend i tërhequr nga muzika. Madje ai tregon se kur ishte 6 vjeç, sa herë që këndonte pritej mirë nga të gjithë dhe në një farë mënyrë ishtë vetë muzika që e zgjodhi atë. Tani pas një eksperience të gjatë në skenë, Genti rrëfen për ne se ajo e ka ndihmuar të gjejë veten dhe të krijojë origjinalitetin e tij. Madje gjithë vitet e kaluara me muzikën po e ndihmojnë për t’u rikthyer me një nivel të lartë artistik.

Si lindi ky album dhe cilët janë bashkëpunëtorët?
Kemi 7 vite që nuk dalim me një album të ri. Gjithë këtë kohë kam menduar gjatë për t’u rikthyer me një album që do të ruajë traditën dhe emrin e mirë që gëzon grupi “Djemtë e detit”. Një shtysë dhe një ndihmë të madhe pata edhe nga miku im dhe kompozitori Valentin Vukaj, pa përjashtuar kënaqësinë e bashkëpunimit me aktorin dhe poetin Timo Flloko i cili ka krijuar 5 tekste këngësh - dukej sikur prej vitesh ishte anëtar i grupit edhe ai. Ishte një eksperiencë mjaft e bukur të punoje edhe përkrah kitaristëve mysafirë të këtij albumi. Dua t’i falënderoj të gjithë. Sepse krijimet tona janë të mbështetura në eposin e lashtë. Notat e këngëve janë bazuar në harmoninë e tingujve epikë të veriut. Në muzikën tonë do të ndihen instrumente si fyelli e lahuta që fare mirë janë lidhur me rrymën Progressive Rock.

Ku qëndron lodhja për të bërë një album të arrirë?
Mendoj se lodhja më e madhe është psikologjike. Por nuk mund të lesh pa përmendur fazën e përzgjedhjes së materialeve muzikore.Gjithashtu tekstet duhet të jenë të goditura dhe të kenë kuptim e të lidhen bukur me muzikën. Edhe vështirësitë ekonomike janë të pranishme por këtë po e radhis të fundit. Kemi bërë të pamundurën që albumi të jetë i një niveli të lartë miksazhi dhe masterizimi i tij do të bëhet në Australi.

Çfarë do të sillni ndryshe në albumin tuaj të ri?
Në këngët tona do të ndihet aktualiteti, kjo në muzikë por sidomos në tekstet e këngëve. Ato do t’u këndojnë nënës, gjakmarrjes, problemeve që përballet realiteti shqiptar. Por në album ka vend gjithashtu edhe për dashurinë.

A do të ketë këngë komerciale në album?
Po, ndodhet një e tillë. Kemi dashur të prezantojmë një këngë që i përket rrymës Hip-Hop & Progressive Rock.

Çfarë prisni në këtë rikthim nga fansat tuaj?
Shpresoj që ashtu si në fillimet e karrierës së grupit “Djemtë e detit” fansat të na presin me dashuri dhe gjatë mungesës tonë ata të jenë shtuar..

1 Komente:

Unknown 01 shkurt, 2016  

Ju falenderojme per muziken e mrekullueshme qe keni krijuar nder vite. Do jeni gjithmone ne zemrat tona

Posto një koment

  ©Designed by Dendi.